Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) me rastin e festës së Kurban Bajramit realizoi projektin tradicional “Shporta e Kurban Bajramit”. Nga 112 kurbanet e therur (16 lopë) përfituan 620 familje nga vendbanimet e komunave të Preshevës dhe Bujanocit me kushte të rënda socio-ekonomike, siç janë familjet e jetimëve, skamnorët, invalidët, 10 familje të komunitetit rom dhe familjet e dëshmorëve të komunave tona.

Ky numër kaq i madh i kurbaneve ka ardhur si rezultat i angazhimit të Qendrave të QSA në shtetet e Evropër Perëndimore, si në Zvicër, Gjermani e Belgjikë, si dhe bashkëpunimit të suksesshëm dhe besimit që partnerët tanë, që kanë treguar dhe po tregojnë mbështetjen e të gjitha projekteve, e në veçanti të projektit të Shportës së Kurban Bajramit, që sapo e realizuam.

Për dallim nga vitet tjera, qytetarët lokal të komunave Preshevë e Bujanoc, kësaj radhe kanë dhuruar 55 kurbana, që do të thotë se gjysma e tyre janë kontribut vendor.

Therja e kafshëve është bërë në ambient të përshtatshëm, ku maksimalisht i është dhënë rëndësia e kushteve higjienike-sanitare nga një ekip profesional.

QSA me një përvojë disa vjeçare në menaxhimin e projektit “Shportës e Kurban Bajramit”. Për therrjen e kurbaneve u angazhua një therrëtore profesionale me hapësira adekuate, e cila kishte marrë me kohë të gjitha masat në formimin e ekipit profesional, duke iu përmbajtur strikt rregullave dhe afateve të therjes së kurbaneve, si dhe duke u përkujdesur maksimalisht qoftë për për mënyrën e therrjes së kurbanave, ashtu edhe për higjenën gjatë therrjes dhe paketimit të mishit.

Në realizimin e këtij projekti kontribuuan  qytetarë të Luginës së Preshevës dhe Qendrat e QSA nga diaspora.

Kontribut të veçantë ka dhënë si zakonisht ndërmarrja Agrokultura nga Presheva, e cila është përkujdesur për transportin e mishit, komunës së Bujanocit për transportin me xhip të mishit në Malësinë e Bujanocit, por një falënderim i veçantë i shkon të gjithë aktivistëve të QSA-së, të cilët të palodhur ndihmuan në përpilimin e listave të familjeve përfituese dhe në shpërndarjen e mishit të kurbaneve.

Përveç familjeve në nevojë, nga një qese mishi (5-6 kg mish) iu shpërnda edhe familjeve financuese të kurbanave, në shenjë respekti për dhurimin e kurbanave për familjet në nevojë përmes QSA-së, si dhe me qëllim të arritjes së parimit të shpërndarjes së mishit sipas rregullave profetike, që mishi i kurbanit të shijohet edhe në familjet e tyre. Përkthyer kjo në aspektin material, çmimi i financuar prej 110 eurosh, me dërgimin e një qese mishi tek familjet financuese, e cila kapë shumën jo më pak se 30 euro, rrjedhimisht i bie që vlera e kurbanit për këto familje financuese të ketë kushtuar jo më shumë se 80 euro. Ky parim është ndjekur ndër vite dhe ka nxitur një emocion të veçantë tek familjet financuese, të cilat me këtë rast e ndjenë edhe më tepër atmosferën e festës së Kurban Bajramit, si dhe vet sakrificën e tyre që e kanë bërë në emër të Krijuesit të Lartësuar.

Në saje të bashkëpunimit që QSA ka me Bashkësit Lokale në komunën e Preshevës,  Shoqatën e prindërve të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara nga Presheva, OVL nga Presheva etj., QSA zyrtarisht u ka dërguar pako mishi të kurbaneve këtyre institucioneve.

Vendbanimet e përfshira përmes projektit nisin nga pjesa më jugore e vendbanimeve tona siç është fshati Miratoc, duke përfunduar në fshatrat më në periferi të komunës së Bujanocit në një distancë 20-25 km në malësi të Bujanocit, si Breznicë, Muhovc, Zarbincë, Bilinicë etj.

QSA u është mirënjohëse të gjithë atyre që kontribuuan në realizimin e këtij projekti dhe e lusim Krijuesin tonë Fuqiplotë që t’i pranojë sakrificat dhe kontributet e çdonjërit, duke i shpërblyer me të mirat e Tij në të dy botërat.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit
Departamenti i Solidaritetit