Rreth Nesh

HISTORIKU & FILOZOFIA E PUNËS

Historiku ynë

Qendra e Solidaritetit dhe Avacimit (QSA) si organizatë qytetare, e cila nga themelimi i saj, nga një grup të rijnsh intelektualë dhe të vullnetit të mirë, grumbullon njerëz të profileve dhe grupmoshave të ndryshme nga trojet shqiptare dhe nga diaspora. Fillimisht më 2007 u themelua në Preshevë me emrin Qendra e Solidaritetit Humanitar (QSH), ku deri më 2011 e realizoi misionin dhe veprimtarinë e saj kryesisht në sferën humanitare, si paraardhëse e QSA-së.

Duke vlerësuar se nevojat për solidarizim në terren sa vijnë dhe shtohen, QSA në realizim të misionit të saj nga viti 2009 filloi të zgjerojë rrjetin e saj. Fillimisht u themelua qendra në Zvicër, për t’u pasuar me qendrat tjera në Maqedoni, Gjermani, Belgjikë e Austri.

Nga viti 2011 e tutje, kjo strategji e re e shërbimit ndaj popullit morri një dimension të ri, që përveç komponentës humanitare, në vetë-vehte do të përfshinte edhe komponenten e avancimit të popullit dhe njëkohësisht edhe të kërkohen individë apo grupe nga trojet tona, të cilët formojnë Qendra të reja në diasporë, që edhe tek popullata jonë në diasporë por edhe tek popullata evropiane të shpërndahet ideja e solidaritetit. Pra, misioni i saj pësoi ndryshimin vetëm në zgjerimin e fushave të veprimtarisë dhe strukturës së saj, kurse në fokus si gjithnjë mbeten nevojat e popullit.

QSA tash duke realiziuar strategjinë e saj të re, nga viti 2009 filloi të zgjerojë rrjetin e saj. Fillimisht u themelua qendra në Zvicër, për t’u pasuar me dy qendrat tjera në Gjermani e Belgjikë. Pas formimit të tri qendrave në diasporë, QSA ndërtoi një bazë të mirë potenciale, për të mbështetur dhe qendra tjera operative në trojet shqiptare. Kështu që, QSA më 2012 themeloi dhe një qendër operative në Kumanovë të Maqedonisë.

QSA vlerëson që në trojet shqiptare ekzistojnë nevoja të themelimit dhe të qendrave tjera operative, pra në Kosovë dhe Shqipëri. Ky zhvillim gjografik do të bëhet krahas gjetjes së kontribuesve dhe integrimit në radhët e saj në qendrat në diasporë. Nëse dëshironi dhe ju të bëheni pjesë e QSA, apo të iniconi themelimin e një qendre operative në vendin tuaj, atëherë klikoni këtu.

Kush është Q.S.A. dhe cka paraqet ajo?

QSA është organizatë autoktone, e cila burimin e saj e ka nga vetë populli shqiptar, me qëllim për t’i shërbyer vetë popullit. Veprimtaria e saj bazohet në filozofinë: nga populli në popull. Shumë të rinj intelektualë nga trojet shqiptare janë bashkuar për të ndërtuar një organizatë „ndryshe“ nga të tjerat, në të analizuarit, qasjes dhe filozofisë.

QSA është organizatë e pavarur dhe apolitike. Baza e filozofisë së të vetë-kuptuarit është që në qendër të vëmendjes të jetë NJERIU i cili, në trojet ku jetojmë është duke vuajtur për gjërat më elementare për jetë, të cilat paraqesin të drejtat dhe nevojat kryesore të një qenie humane: ushqimi, strehimi dhe edukimi. Për këtë arsyje asnjë përfitues, aktivist, anëtar i rrjetit, anëtar i kryesisë së Qendrave, donator, bashkëpunëtor etj., nuk lejohet të përjashtohet për shkak të prejardhjes, kulturës, moshës, gjinisë, racës, pikëpamjeve politike dhe religjioze, apo edhe aftësive të tij të kufizuara.

Anëtarët e QSA bashkohen pikërisht në këto qëllime, që të solidarizohen me njerëz, të cilët për shumicën e popullatës në trojet shqiptare, janë të padukshëm. QSA i ka vërë vehtes synim që të jetë avokatja e kësaj shtrese të shoqërisë dhe gjithashtu të jetë zëdhënësja dhe promovuesja e gjendjes së tyre, me qëllim të sensibilizimit të shoqërisë së gjerë shqiptare, për gjendjen e vëllezërve dhe motrave të tyre, pra bashkombasve të tyre. Për këtë gjë, QSA është organizatë e hapur, në të cilën bashkohen anëtarë dhe grupe njerëzish nga të gjitha trojet shqiptare, si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Me punën e saj serioze dhe profesionale, QSA në qendrat e saj në diasporë ka arritur të sigurojë anëtarë dhe partnerë joshqiptarë, si gjermanë, zvicerian, turq etj.

Të gjitha qendrat që veprojnë në kuadër të QSA janë të regjistruara në shtetet ku veprojnë, funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe posedojnë Kuvendet, kryesitë, anëtarësitë dhe statutet sipas akteve ligjore të shteteve ku ato veprojnë.

Filozofia e punës

QSA ushqehet nga filozofia e shërbimit të gjerë ndaj popullatës. Kjo filozofi nuk është vetëm që të shërbehët për hir të shërbimit, por është thellë e ngulitur në dashurinë ndaj vendit dhe popullit, i cili jeton dhe reziston këtu më qindra vite. Kjo dashuri kulminon apo bashkohet me vetëdijen, se duke i shërbyer popullit ndaj nevojave të tij por edhe për avancimin e tij, me një angazhim dhe bashkim më gjërë dhe energjik, Krijuesi ynë Bujar do të ngrisë dhe përmisojë gjendjen tonë të vështire në përgjithësi. Se me siguri pas çdo vështërsire vjen lehtësimi.

Kështu që problemet dhe sfidat e shoqërisë paraqesin thelbin e punës sonë, të cilat para së gjithash janë promotorë, nga të cilët gjenerohet energji, duke na shtyrë që të jemi gjithnjë e më kërkues në shërbim të nevojave të popullatës sonë. Ky „ice berg“ social, që askush nuk ia din gjerësinë dhe thellësinë e tij, i cili është ndërtuar dekada me radhë, është pikësynimi ynë. Bashkërisht do të punojmë dhe angazhohemi në zvogëlimin dhe eliminimin e plotë të tij. Në këtë situate dhe me këtë synim, QSA del si plan alternativ ku puqen vullnetet pozitive të shumë qytetarëve tanë nga vendi dhe diaspora, të cilët me angazhimet e tyre sintetizojnë, menaxhojnë dhe shpërndajnë projektet (aktivitetet), pas analizës më të thellë të objektivit, me synim kohën dhe vendin e duhur, që sado pak të arrihet një përmirësim apo ndryshim në sensin pozitiv.

Jemi gjithnjë të vetëdijshëm që problemet sociale sa vijnë e shtohen. Për të sfiduar realitetin e tillë që mbretëron, kërkohet të jemi më solidarë si individë dhe si shoqëri, sipas parimit që saherë që ke treguar kujdes për tjetrin që ka një hall apo nevojë, apo ke ndihmuar proceset pozitive dhe ke penguar ato negative në shoqëri, do të thotë ke ruajtur vehten, familjen dhe shoqërinë me të cilën bashkëjeton.
Pra Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit është e hapur dhe kërkon bashkëpunim në realizimin e misionit të saj me çdonjërin që shpreh gatishmëri për punë dhe angazhim të motivuar thellësisht, vetëm për të qenë në shërbim të shoqërisë ku jetojmë, qofshin këta individë, grupe apo organizata, duke ndihmuar apo ndikuar në ndryshimin e realitetit që na rrethon.

Për këtë, QSA është e shtrirë rrjetin e saj në diasporë, duke i grumbulluar bashkatdhetarët rreth vehtes së saj. Ideja është që bashkatdhetarëve në diasporë t’u jepet mundësia teknike për t’i orientuar kontributet e tyre kah vendet e tyre, edhe pse nga një distancë të madhe nga vendi nga ku ata vijnë. Kështu ndërtohet një urë komunikimi institucionale e njoftimit dhe shpërndarjes së idesë së solidaritetit edhe në diasporë por dhe tek popujt evropianë, duke u njohur me thellësisht me situatën në trojet tona etnike.

Kështu që përmes solidaritetit në zgjidhjen e problemeve të ndryshme sociale dhe mënyrës së ofrimit të shërbimeve të saj në terren, QSA dëshiron të ndërtojë një vetëdije të re më të avancuar për vendin tonë dhe njerëzit e saj.

Filozofia jonë nuk konsiston në atë që vetëm të kontribuojmë në aspektin financiar (humanitar), por të integrojmë ide të reja dhe pervoja te ndryshme nga anëtarët tanë në diasporë, të cilët i shërbejnë shoqërisë sonë për t’a avancuar edhe mëtej atë. Në qendrat në diasporë në formë të organizuar janë duke u integruar njerëz me profile të ndryshëm, të cilët do të hartojnë strategji dhe qasje të avancuara me qëllim të avancimit të përgjithshëm të shoqërisë sonë, sidomos në parandalimin e shpërguljes së popullatës sonë nga trojet etnike stërgjyshore. Kjo filozofi është shumëdimensionale e cila në vetë-vehte ngërthen dhe aspektin shpirtëror. Ne jemi të binduar që nëse bashkërisht angazhohemi dhe solidarizohemi në luftën kundër varfërisë si në aspektin material, poashtu edhe në aspektin edukativ e shpirtëror, si dhe në parandalimin e shpërnguljes së popullatës sonë, atëherë edhe ndihma e Zotit tonë Bujar do të jetë në anën tonë.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit gjithnjë do të jetë mirënjohëse të gjithë atyre që u bashkëngjiten misionit tonë apo na përkrahin ose bashkëpunojnë për arritjen e objektivave tani më të njohura. Ne vazhdimisht do të mundohemi të jemi transparent me shoqërinë dhe në shërbim të saj, ndërsa për punën dhe angazhimin e bërë, do të kërkojmë vetëm se Kënaqesinë e Zotit tonë Krijuesit dhe Furnizuesit.

This post is also available in: English German Turkish

Leave a Reply

Your email address will not be published.