Rrjeti Internacional

Rrjeti Internacional - QSA

Ndërtimi i rrjetit internacional është tepër i rëndësishëm për të i minimalizuar problemet dhe sfidat shumëdimensionale të shoqërisë shqiptare në trojet tona. Përmes rrjetëzimit synohet që të ndërtohen qendra në të gjitha shtetet e Evropës dhe kontinentit amerikan, ku jeton një pjesë e madhe e diasporës shqiptare.

Çdo qendër duhet të ketë Kuvendin e saj prej së paku 10 personash, të cilët nga rradhët e tyre e zgjedhin kryesinë. Gjithashtu, qendrat duhet të pajisen me Statut apo Rregullore pune dhe të regjistrohen në institucionet përkatëse në shtetin ku veprojnë. E tërë kjo i shërben vetëdijes sonë të përgjithshme, që vetëm nëpërmjet institucionalizimit të punës dhe ndarjes së përgjegjësive brenda anëtarëve të kryesisë, sigurohet niveli i lartë i profesionalizmit dhe transparenës maksimale. Njëkohësisht synohet që nëpërmjet kësaj forme të organizmit, të ndërtohet një mentalitet dhe psikologji e re e të vepruarit në aspektin shoqëror.

Gjithashtu synohet që Qendrat të kenë bashkëpunim apo partneritet me Organizata apo institucione tjera në shtetin ku ato veprojnë. Ky bashkepunim apo partneritet mund të sigurohet, atëherë kur qendrat atje janë të organizuara në mënyrë institucionale, siç është përshkruar më sipër. Bashkëpunimi dhe partneriteti me organizata dhe institucione vendore, siguron dhe një energji shtesë, për t’i trajtuar dhe zgjidhur problemet e shoqërisë sonë. Në këtë formë tashmë janë siguruar disa partnerë të ndryshëm, kështu që është provuar në praktikë kjo qasje strategjike e rrjetëzimit internacional.

Një aspekt tjetër e ndërtimit të një qendre të tillë, është ajo e antarësimit të bashkatdhetarëve tanë në diasporë, nga të gjitha trojet. Anëtari mund të zgjedhë vetë dhe të përcaktohet se në cilin projekt dhe në cilën qendër operative në trojet tona etnike në Ballkan, të dërgohen kontributet e tij. Kjo nuk përfundon vetëm me kaq, por anëtarit i lëshohet vërtetimi nga QSA për kontributet e dhuruara, të cilat mund të dëshmohen në Ministrinë e financave (shërbimet tatimore) për donacionin e dhuruar për çështje humanitare dhe në këtë mënyrë të taksohet me një përqindje më të vogël për të ardhurat vjetore në shtetin ku anëtari vepron.

Kështu që kjo formë e kontributit të anëtarëve, jo vetëm që ndikon direkt positiv në situaten në Trojet tona në Balkan, por mundëson gjithashtu dhe zvogëlimin e shumës së tatimit mbi të ardhurat në nivel vjetor në shtetin ku ai vepron, duke i deklaruar shumat e dhuruara si donacion për çështje humanitare, të cilat edhe shteti do t’i marrë në konsideratë me rastin e kalkulimit të tatimit vjetor në të ardhura.

Qendrat ne diasporë përmes kësaj forme të organizimit dhe aktivitete të tyre lokale, arrijnë të ndërtojnë një mekanizëm komunikimi mes bashkatdhetarëve tanë, por dhe të njihen më për së afërmi me shoqërinë në përgjithësi. Ky komunikim sjell dobi të shumëfishtë dhe gjeneron ide, përvoja por dhe individ të zhvilluar me profile të ndryshëm, të cilët me kontributin e tyre në fushat ku ata janë kompetentë, mund t’i sjellin dobi shoqërisë sonë në përgjithësi.

Nëse dëshironi edhe ju të bëheni pjesë e rrjetit të QSA, atëherë mund të na kontaktoni përmes postës elektronike në adresën: info@solidariteti.com. Ne do të ju njoftojmë më detalisht për procedurën e ndërtimit të një qendre të re në shtetin ku ju veproni.

This post is also available in: English, German, Turkish