Preshevë, 6 gusht 2017

Në kuadër të projektit “Rreze drite”, Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në bashkëpunim me Shoqatën e personave me aftësi të kufizuara në Preshevë, si dhe Shoqatën “Nora” nga Zvicra, gjatë ditës së diel në shtëpinë e kulturës “Abdullah Krashnica” kanë filluar realizimin e projektit “Rreze drite”, projekt ky që u dedikohet personave me nevoja të veçanta nga Lugina e Preshevës, duke bërë shpërndarjen e karrocave dhe pajisjeve tjera shtesë për këtë kategori të shoqërisë sonë.

Qëllimi i projektit është furnizimi i personave me nevoja të veçanta, si dhe fëmijëve me paraliza të ndryshme, me karroca apo mjete të nevojshme për lëvizje. Përveç kësaj, përmes projektit synohet dhe ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për qarkullim nëpër oborret, si dhe rrugicat e vendbanimeve ku ata jetojnë.

Projekti rezulton si një nismë e përbashkët e QSA-së, SHPAK dhe shoqatës Nora nga Zvicra, ku secila shoqatë ka marrë përsipër të vëjë në dispozicion mundësitë që i ka, për t’i vënë në dispozicion të kësaj pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë. Bashkëpunimi vie si rezultat i kontributit përmes mbështetjes financiare, përvojës profesionale, si dhe përvojës së punës me këtë kategori.

Të gjitha shoqatat pjesëmarrëse synojnë që të gjithë personave me nevoja të veçanta, t’u sigurohet së paku një karrocë apo mjet tjetër për lëvizje, që t’u lehtësohet qarkullimi më me lehtësi, duke u krijuar kështu parakushte për zhvillim më të lehtë të jetës private dhe shoqërore këtyre personave.

Përmes komunikimit me vetë personat por edhe me familjarët e tyre, synohet gjithashtu ngritja e komunikimit dhe bashkëpunimit të personave me nevoja të veçanta me pjesën tjetër të shoqërisë, si dhe thyerja e barrierave të izolimit, që pa fajin e tyre i nënshtrohen tabuve të mbrapshta të shoqërisë, për shkak se shumica e tyre qëndrojnë të izoluar në shtëpi dhe nuk i shohin as rrezet e diellit me sy.

Ky është vetëm fillimi i projektit, ky projekt do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke ia siguruar këtyre personave infrastrukturën që ata të lëvizin lirshëm nga shtëpit e tyre nëpër rrugët e qytetit.

Projekti u mundësua të realizohet nga Qendra e QSA-së në Zvicër, e cila kishte identifikuar nevojën e mbështetjes së personave me nevoja të veçanta, përmes sigurimit të mjeteve për qarkullim, për ta.

Apelohen të afërmit dhe familjarët e këtyre kategorive, që nuk kanë pasur mundësi për të qenë prezent në ekspozitë, që karrocat do të mund të vijnë t’i marrin edhe në zyret e QSA-së dhe në zyret e SHPAK në Preshevë.

Poashtu, apelojmë tek të gjithë të interesuarit tjerë që kanë dëshirë të solidarizohen me këtë kategori të shoqërisë, që mund të bëhen pjesë e projektit duke mbështetur projektin tonë.

QSA falënderon partnerët e projektit, të gjithë kontribuesit që kanë mbështetur realizimin e projektit, Shtëpinë e kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë për mbështetjen logjistike me hapësirë, si dhe RTV Aldin për përcjelljen mediale të aktivitetit të sotëm.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit
Departamenti i Solidaritetit