FJALIMI KRYESOR:

E nderuara familja Jusufi!

Të ndëruar mysafirë!

Të nderuar kryetarë të Qendrave të QSA-së në Austri, Zvicër e Belgjikë!

Të nderuar anëtarë të Kryesive të Qendrave Preshevë, Austri, Zvicër e Belgjikë!

I nderuar kryetar i Bashkësisë Lokale, i nderuar imam i fshatit Corroticë!

Të nderuar bashkëfshatarë të familjes së Gani Jusufit!

Të nderuar bashkatdhetarë që këto ditë po qëndroni në vendlindjen tuaj, që me prezencën tuaj n’a e keni stolisur qytetin tonë!

Të nderuar aktivistë, donatorë, mbështetës të kësaj nisme dhe të gjithë ju prezentë!

Me rastin e vënies së gurëthemelit të ndërtimit të shtëpisë së Gani Jusufit nga fshati Corroticë – Komuna e Preshevës, fillimisht falënderojmë Zotin e Gjithësisë që gjendemi në këtë vend me një rast të veçantë për të gjithë ne këtu që jemi prezent.

Më lejoni të ju përcjell përshendëtjet dhe falënderimet më të përzemerta që iu përgjigjët ftesës sonë për të prezantuar në këtë ngjarje kaq domethënëse për QSA-në, familjen e Ganiut, por edhe për mbarë shoqërinë e Komunës sonë e më gjerë të Luginës së Preshevës.

Arsyeja që ne sot jemi grumbulluar në këtë vend është një kurorëzim i nismës që QSA ka ndërmarrë para më shumë se një viti, për inicimin dhe realizimin e këtij projekti.

Diku në shkurt të vitit 2016, QSA zyrtarisht ia konfirmoi Ganiut se ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë së re.

Me siguri për Ganiun dhe familjen e tij ka qenë një lajm i mirë, ndërsa për Korpusin tonë të QSA-së ka qenë thjeshtë përmbushje e një obligimi moral ndaj familjes së Ganiut, për t’ia përmirësuar kushtet e akomodimit, për të bërë pak a shumë një nivelizim me shumë familje tjera në trevën tonë.

QSA që nga inicimi i këtij projekti, tashmë po shënon ndërtimin e shtëpisë së 12-të, falë mbështetjes që ka gjetur tek shumë kontribues, si donatorë, bashkatdhetarë, individë, përfaqësues të biznesit lokal, bashkëvendas tanë dhe më gjerë etj.

Pra, jeni Ju ata që këto nisma i keni jetësuar në projekte konkrete, ndërsa QSA thjeshtë ka shërbyer si inicuese për t’i dhënë shtytje vullnetit tuaj që ideja e solidaritetit të konkretizohet me ndërtimin e shtëpive të banimit dhe akomodimin më komod të familjeve përfituese të këtij projekti.

Për QSA-në projekti “Strehimi” nuk është thjeshtë ndërtimi i një objekti apo shtëpie banimi. Në filozofinë e thellë të tij, ky projekt promovon vlera të larta të solidaritetit dhe vëllazërisë mes kontribuesve dhe përfituesve të këtij projekti, që ata ndajnë nga vetat dhe familjet e tyre, për t’ia bërë më të lumtur jetën e fëmijëve të tjetrit, edhe pse ndoshta fare nuk e njohin.

Pra, a ka gjë më të mirë?

Siç e cekëm dhe më lartë, nisma për realizimin e këtij projekti daton nga një vit e ca, që ne si QSA së bashku me Ganiun dhe të afërm të tij jemi marrë në mënyrë intensive me çështjet administrative, fillimisht të legalizimit dhe bartjes së pronës, për të vazhduar pastaj me procedurat tjera, si inçizimet gjeodezike, përpilimin e projekt-dokumentacionit teknik të nevojshëm, për sigurimin e lejes së ndërtimit.

Nuk mbaron vetëm me kaq.

Korpusi i QSA-së paralelisht ka punuar shumë intensivisht për grumbullimin e mjeteve financiare dhe materialeve për ndërtimin e shtëpisë së Ganiut, ku është arritur të grumbullohet një shumë e konsiderueshme, por jo e plotë, për përfundimin e këtij projekti.

Në forma materiale, disa kompani lokale dhe qytetarë të vendit tonë vetëm se kanë ofruar gratis disa nga materialet e nevojshme, si: armaturë, dyer e dritare, një pjesë të mobiljeve, si dhe shërbime përmes punëve që ata ofrojnë, si instalimet elektrike etj.

Pra, deri në këtë moment, është siguruar i gjithë dokumentacioni teknik dhe ai i lejes së ndërtimit, që kjo shtëpi të ndërtohet në rrugë krejtësisht legale dhe ligjore, në mënyrë që të mos hasë në vështirësi të ndryshme gjatë kyçjes në rrjetet e shërbimeve komunale, atë të Elektro-distrbucionit apo regjistrimit e objektit në regjistrat e Urbanizmit dhe të Kadastrit.

I gjithë ky proçes ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm për të gjithë ne pjesëmarrësit, por falë këmbënguljes dhe angazhimit të vazhdueshëm, u arrit që gjithçka të sigurohet dhe jemi këtu sot për të filluar dhe ndërtimin e kësaj shtëpie.

Për fund më lejoni që t’i falënderoj Qendrat e QSA-së në diasporë, kryesisht Qendrën e Austrisë që me një përkushtim të lartë kanë arritur të sigurojnë një pjesë të konsiderueshme të shumës së nevojshme për ndërtimin e kësaj shtëpie, pa i lënë anash edhe Qendrën e Zvicrës, si dhe Qendrat e Belgjikës dhe Gjermanisë.

Poashtu, i falënderojmë bizneset lokale duke filluar këtu në Corroticë, Preshevë e Bujanoc me rrethinë, qytetarë të rëndomtë, që me të dëgjuar për nismën tonë, në suaza të ndjenjës së solidaritetit, kanë ndarë kontributin e tyre, për t’a mbështetur realizimin e këtij projekti.

Me qenë se kemi për të bërë akoma deri në sigurimin e shumës së plotë për përfundimin e plotë të këtij projekti, apelojmë tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë qofshin individë apo biznese brenda apo jashtë vendit, bashkatdhetarët tanë etj., që të solidarizohen me familjen e Gani Jusufit nga fshati Corroticë, duke n’a u bashkangjitur me mundësitë e tyre që kanë në dispozicion, që projekti të përfundohet sa më shpejtë dhe Ganiu me familjen e tij t’i gëzohet festës së Kurban Bajramit në mënyrë të dyfishtë.

Pra, zyrtarisht e shpallim të nisur këtë projekt dhe shprehim urimet për një fillim të mbarë e realizim me sukses.

Faleminderit të gjithëve!

This post is also available in: German