Preshevë, 14 tetor 2016

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Preshevë më 11 tetor në Komunën e Preshevës dhe 14 tetor në Komunën e Bujanocit bëri shpërndarjen e pagave mujore për muajin Gusht – Shtator 2016, në kuadër të projektit “Streha e jetimëve”.

Qëllimi i projektit është solidarizimi me fëmijët jetimë (pa prindër – njërin apo të dy), duke u siguruar përkrahje materiale për mbulimin e disave nga nevojat të tyre të shumëta.

Përfituesit e projektit janë 64 fëmijë jetimë me kushte të vështira ekonomike e sociale nga komuna e Preshevës dhe Bujanocit të moshave të 0 – 12 vjeç, të cilëve u mungon njëri apo të dy prindërit. Në kuadër të projektit, këta fëmijë përfitojnë një pagë mujore në shumë prej 3,000 dinarësh (25 eurosh).

Përmes kësaj ndërhyrjeje, QSA ka si qëllim të ndikojë në zbutjen e gjendjes ekonomike e sociale tek kjo kategori, por gjithashtu të nxisë ndjenjën e solidaritetit, që këta fëmijë janë pjesë e shoqërisë dhe nuk janë të vetëm dhe gëzojnë të drejtën e përkrahjes e mbështetjes së vazhdueshme të shoqërisë apo institucioneve.

QSA tashmë për fëmijët jetimë përfitues të projektit, ka krijuar një bazë të dhënash, ku përfshihen biografia e tyre, kushtet e akomodimit, shëndeti, të dhënat mbi kujdestarin/en, nivelin e edukimit dhe arsimimit, shërbimet që u ofrohen atyre nga institucionet publike, përkrahja dhe ndihmat materiale që u sigurohen nga instutucionet gjegjëse etj.

QSA tashmë ka inicuar edhe mëtej realizimin e projektit “Streha e jetimëve” për vitin 2016, andaj apelon tek të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë në vend dhe diasporë, si dhe bizneseve lokale këtu në Luginë, që QSA u mundëson të marrin pjesë në financimin e ndonjë jetimi në shumë prej 25 euro në muaj, për t’u solidarizuar me ta në këto kushte të vështira ekonomike e sociale që e kanë mbërthyer Luginën dhe të bëhen pjesë e projektit tonë.

QSA në Preshevë falënderon partnerin dhe donatorët e projektit për kontributin e dhënë në realizimin e projektit “Streha e jetimëve” dhe solidarizimin me jetimët e Luginës së Preshevës.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit Preshevë
Departamenti i Solidaritetit