Preshevë, 12-15 shtator 2016

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Preshevë, me rastin e festës së Kurban Bajramit, realizoi projektin tradicional të saj “Shporta e Kurban Bajramit” për vitin 2016.

Qëllimi i projektit është solidarizimi me familjet në nevojë në Luginë të Preshevës, përmes realizimit të sakrificës së kurbaneve dhe shpërndarjes së mishit për kategori të ndryshme sociale të shoqërisë sonë.

Në kuadër të projektit u arrit sigurimi i një numri të konsiderueshëm i kurbaneve, të cilët nga donatorë lokal nga Presheva dhe Korpusi i QSA-së arriti t’i grumbullojë. Konkretisht u grumbulluan 182 kurbanë, për të cilët u therrën 26 lopë. Therrja e kurbaneve dhe procesimi i mëtejshëm i mishit u bë në therrëtore profesionale.

QSA në Preshevë që nga themelimi i saj ka organizuar projektin në fjalë dhe me kalimin nëpër vite, duke i dhënë vehtes një obligim të lartë, ka arritur që këtë projekt t’a realizojë në standarde më të larta, që mund të ofrohen në vend. Këto standarde lidhen para së gjithash me implementimin e projektit në forma krejtësisht legale, me kritere të larta të komponenteve të ibadetit dhe cilësisë së kafshëve të cilat janë sakrifikuar, si dhe kushteve higjeniko-sanitare të trajtimit të mishit të kurbaneve.

Therrja e kurbaneve, e cila ashtu dhe siç është paralajmëruar më herët, është bërë në therrëtore të profesionale, në kushte të larta të përgatitjes teknike e higjenike, nga një staf profesional përfshirë dhe pjesën e ritualit konform normale fetare Islame në prezencë të hoxhës, i cili përkujdesej për pjesën e ibadetit dhe mënyrën e therrjes sipas normativave fetare. I tërë proçesi mbulohet me dokumentacionin përkatës, për të gjitha fazat e realizimit të tij.

Gjithsejtë u shpërndanë 830 pako mishi me peshë 7 kg, nga të cilat përfituan familjet skamnore, jetimët, të vejat, të sëmurët, personat me nevoja të veçanta etj.

Shpërndarja e pakove të mishit të kurbaneve u bë në një territor të gjerë, duke i përfshirë të gjitha vendbanimet e komunave Preshevë dhe Bujanoc, me theks të veçantë fshatërat e malësisë në një vijë gjografike prej 60 km (nga fsh. Miratoc deri në fsh. Muhovc e Zarbincë), ku jeta e banorëve në këto zona është më e vështirë.

Shpërndarja e pakove të mishit u realizua me sukses, falë punës së palodhshme të stafit dhe aktivistëve të QSA-së në terren, që mishi i kurbaneve të shkojë shtëpi më shtëpi, duke bërë dhe pranim-dorëzimin e pakove të mishit me nënshkrim të familjarit të familjeve përfituese.

Përshkurja e gjithë këtyre vendbanimeve u bë falë angazhimit të aktivistëve të QSA-së dhe bashkëpunëtorëve të saj, të cilët me një vullnet të lartë arritën të depërtojnë edhe në pikat më të thella për të dërguar pako mishi, për t’u solidarizuar me familjet në nevojë. Me një fjalë QSA, përmes projektit “Shporta e Kurban Bajramit”  ishte aty ku e kërkoi nevoja.

Përveç familjeve përfituese, QSA si çdo vit në shenjë falënderimi e respekti, ua dërgoi dhe nga një pako të mishit të kurbaneve edhe familjeve donatore, që edhe keto familje të ndjejnë aromën e mishit të kurbaneve të tyre.

Projekti u realizua me një mbështetje të fortë të partnerëve të QSA-së, Qendrave në diasporë, bashkatdhetarëve tanë, bashkëqytetarëve tanë nga komunat Preshevë e Bujanoc, bashkëkombasit tanë nga trojet shqiptare etj.

QSA në Preshevë i falënderon të gjithë pjesëmarrësit në këtë projekt, të cilët në forma të ndryshme ndihmuan realizimin e tij. Përveç donatorëve të lartëpërmendur, QSA në mënyrë të veçantë falënderon Qendrat tona në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e Austri, që u përkujdesën për gjetjen e donatorëve, si dhe partnerët tanë të rregullt që mbështetën realizimin e projektit.

QSA-së në Preshevë uron të gjithë besimtarët në katër anët e globit e në veçanti ata të Luginës së Preshevës – Gëzuar festën e Kurban Bajramit, me dëshirë që Bajramet e ardhshëm të n’a gjejnë në paqë e harmoni ndërnjerëzore, në kushte më të mira ekonomike e sociale, me një numër sa më të vogël nevojtarësh në trevën tonë.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Preshevë
Departamenti i Solidaritetit