Të nderuar miq, donatorë, aktivistë, mbështetës, përfitues të QSA-së!

Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, ju përcjellim urimet më të sinqerta që ky muaj të jetë muaj i begative të shumëta për ju dhe familjet tuaja.

Të vetëdijshëm për vlerën e lartë që e bartë ky muaj, dëshirojmë që paqja dhe mëshira e Zotit të mbretërojë tek çdo familje në botë, në veçanti tek shqiptarët kudo që janë.

Përderisa qëllimi i Ramazanit është kalitja dhe motivacioni për përballim të sfidave dhe angazhim më të madh në punë të mbara, QSA dëshiron që gjatë këtij muaji të jetë më afër atyre që ndjejnë nevojën e përkrahjes sonë.

Për këtë gjë, QSA ka inicuar projektin “Shporta e Ramazanit”, përmes të cilit do të furnizojë familjet në nevojë në Luginë të Preshevës dhe rrethinën e Kumanovës e Likovës me pako ushqimore, të cilat do t’ia lehtësonin sado pak gjendjen e vështirë familjeve përfituese të projektit, gjatë muajit të Ramazanit.

Përveç shumë cilësive tjera, Ramazani është dhe muaj i solidaritetit.

Nëse ky solidaritet ka burimin Hyjnor, le të jemi nga ata të cilët e realizojnë në praktikë duke qenë më afër njëri-tjetrit, e sidomos duke i ndihmuar të varfërit, jetimët, të sëmurët, të vejat, të pastrehët, si dhe të gjithë ata që në një apo formë tjetër presin kontributin tonë.

Të nderuar vëllezër dhe motra!
Ju ftojmë që sipas mundësive që keni, të n’a bashkangjiteni në rrugën tonë të solidaritetit, qoftë edhe me një kontribut simbolik, që t’i përkrahim kategoritë e ndryshme në nevojë, që në këtë formë të dalim bashkërisht fitues ndaj varfërisë e skamjes që mbretëron tek një numër jo i vogël i fmailjeve në vendlindjet tona.

Korpusi i QSA-së i shtrirë tashmë në gjashtë shtete të ndryshme të Evropës, është mobilizuar që të jetë në shërbim të kategorive sociale dhe do të jetë në dispozicionin tuaj, që çdo kontribut tuajin, t’a destinojë tek familjet në nevojë në vendlindjet tona.

Sikurse n’a keni mbështetur fuqimisht deri më tani në realizimin e projekteve të numërta, shpresojmë edhe kësaj radhe në mbështetjen tuaj. Për këtë ju shprehim mirënjohjet dhe falënderimet më të përzemërta.

Përmes QSA-së do të jeni më afër vendlindjeve tuaja!

Solidarizohu dhe ti!

Me respekt,
Korpusi i Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit