Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) me rastin e festës së Kurban Bajramit realizoi projektin tradicional “Shporta e Kurban Bajramit”. Nga 175 kurbanet e therur (25 lopë) përfituan 775 familje nga vendbanimet e komunave të Preshevës dhe Bujanocit me kushte të rënda socio-ekonomike, siç janë familjet e jetimëve, skamnorët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve.

Numri enorm i kurbaneve ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm dhe besimit që partnerët tanë kanë treguar dhe po tregojnë në mbështetjen e të gjitha projekteve, e në veçanti të projektit të Shportës së Kurban Bajramit, që sapo e realizuam.

Therja e kafshëve është bërë në ambient të përshtatshëm, ku maksimalisht i është dhënë rëndësia e kushteve higjienike-sanitare nga një ekip profesional.

QSA tashmë ka përfituar një përvojë të mirë në menaxhimin e situatave te ndryshme kur është fjala për realizimin e therjes së kurbaneve, ku mobilizoi aktivistë nga radhët e saj edhe gjatë turnit të natës, duke iu përmbajtur strikt rregullave dhe afateve të therjes së kurbaneve.

   

Në saje të bashkëpunimit që QSA ka me BL Miratoc, Shoqatën e prindërve të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara nga Presheva, OVL nga Presheva etj., QSA zyrtarisht u ka dërguar pako mishi të kurbaneve këtyre institucioneve, ndërsa BL Miratoc i dhuroi një lopë të cilën e therën dhe e bënë shpërndarjen e mishit familjeve në nevojë nga fshati Miratoc.

Në realizimin e këtij projekti kontribuuan Sh. H. “Solidariteti“ nga Soloturni, Jugendkulturzentrum “Takva“ nga Cyrihu i Zvicrës, Xhamia Sunnah Dietikon, si dhe qytetarë të Luginës së Preshevës. Një kontribut i veçantë erdhi nga xhemati së Zhenevës, ku dërguan një sasi të hollash, përmes të cilave u dërguan pakot ushqimore festive me rastin e Kurban Bajramit për 35 familje nga komuna e Preshevës, të cilat u shpërndanë para festës.

   

Kontribut të veçantë ka dhënë si zakonisht ndërmarrja Agrokultura nga Presheva, e cila është përkujdesur për transportin e mishit, gjithashtu komuna e Bujanocit duke e angazhuar një automjet në terren në shpërndarjen e mishit në zonat e thella malore, por një falënderim i veçantë i shkon të gjithë aktivistëve të QSA-së, të cilët të palodhur ndihmuan në përpilimin e listave të familjeve përfituese dhe në shpërndarjen e mishit të kurbaneve.

QSA u është mirënjohëse të gjithë atyre që kontribuuan në realizimin e këtij projekti dhe e lusim Krijuesin tonë Fuqiplotë që t’i pranojë sakrificat dhe kontributet e çdonjërit, duke i shpërblyer me të mirat e Tij në të dy botërat.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit

Departamenti i Solidaritetit

This post is also available in: English German Turkish